Site icon Telegrafi

Ahmeti: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka shprehur zhgënjim se në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nuk u trajtua çështja e anëtarësimit të Kosovës.

Takimi, që u mbajt në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, la jashtë fokusit rekomandimin e fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Edhe pse ka një mbështetje të gjerë për të vendosur çështjen e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në agjendën e takimit ministror që do të mbahet më 17 maj, kërkesa e disa vendeve që Kosova të pranojë draft statutin e propozuar nga Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka krijuar një pengesë.

Këto vende kërkojnë që statuti të pranohet në një mënyrë që do të jetë e pranueshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, një kërkesë që përfundimisht ka shtyrë debatin për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministri Ahmeti ka theksuar se në dy vitet e fundit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës:

Në shtator të vitit 2022, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfirmoi se Kosova si shtet evropian nuk ka asnjë pengesë ligjore që të bëhet anëtare e plotë në bazë të nenit 4.

Në tetor 2022, delegacioni i Kuvendit të Kosovës fitoi për herë të parë të drejtën e fjalës në Asamblenë Parlamentare.

Në prill 2023, Komiteti i Ministrave ra dakord për të nisur procedurat e pranimit të Kosovës si anëtare, pasi mori mbështetjen e nevojshme prej më shumë se 2/3 të votave.

Në nëntor 2023, ekspertë të pavarur juridik konfirmuan se Kosova jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por disa herë i tejkalon ato.

Në mars 2024, raportuesit politikë të drejtuar nga Dora Bakoyannis konfirmuan se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim.

Megjithatë, pavarësisht këtyre përparimeve, ngatërresa e proceseve të pavarura dhe përdorimi i Këshillit të Evropës si mjet presioni kanë rrezikuar këtë progres.

“Anëtarësimi i Kosovës mund të shtyhet si pasojë e kësaj tendence për të lidhur vendimin me pranimin e draft Statutit të Lajçakut”, thotë ai.

Ahmeti argumentoi se kjo qasje nuk përputhet me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës.

Sipas tij, kjo shtyrje do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, veçanërisht të minoritetit serb, për të përdorur mekanizmat e Këshillit të Evropës dhe do të dërgojë një sinjal negativ në rajon./Telegrafi/

Exit mobile version