Site icon Telegrafi

Ahmeti kërkon nga institucionet tjera që të jenë transparente si komuna e Prishtinës

Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës mbledhjen e sotme e filloi me një minutë heshtje në nderim të aktivistit Astrit Dehari.

“Astriti përveç që njihej si aktivist i denjë i Vetëvendosjes dhe student i dalluar i mjekësisë, ishte një nga shtyllat kryesore të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunë, dhe nga më meritorët për rregullimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, thuhet në një komunikatë të komunës së Prishtinës.

Në këtë seancë, mes 11 pikave të rendit të ditës, më së shumti diskutim nxiti raporti nëntëmujor buxhetor janar-shtator.

Kryetari i komunës Shpend Ahmeti bashkë me drejtorët e kabinetit iu përgjigjën asamblistëve në pyetjet që kishin për çështjet e shpenzimeve, si dhe kërkuan që për çdo paqartësi që kanë të dalin në terren bashkë me ekzekutivin dhe ta shohin secilin investim që e ka bërë Komuna e Prishtinës.

Ahmeti ndër të tjera theksoi se ka kërkuar nga Thesari i Shtetit që secilën faturë, të secilit institucion, ta bëjë publike, në mënyrë që edhe institucionet e tjera të jenë transparent porsi Komuna e Prishtinës.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe morën votën e asamblistëve propozimvendimet për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës për Qendrën e Arteve të Kosovës, Kuvendin e Motrave të Shën Kryqit, Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, si dhe propozimvendimi për këmbim të një prone të paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personave fizik.

Pas diskutimeve lidhur me planin e vendosjes së qoshqeve dhe për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës për shfrytëzim afatshkurtër për qoshqe, u vendos që këto dy pika të shtyhen për një nga mbledhjet e radhës.

Exit mobile version