Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i dërgoi sot telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Ramiz Kelmendi i cili ndërroi jetë dje në moshën 83-vjeçare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
‘Me dhimbje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të mikut tim, njeriut të letrave dhe të proceseve shoqërore, kontribuesit të madh në lëvizjet çlirimtare, Ramiz Kelmendit.
Njerëz si ti, i dashur Ramiz, me cilësitë më të mira të bashkuara tek një njeri, lavdinë dhe mirënjohjen i kanë plotësisht të merituara.
Fort e dashura familja Kelmendi, më lejoni që bashkë me ngushëllimet e mia t’ju përcjell edhe ndjenjën e miqësisë më të sinqertë’.
Ramiz Kelmendi arriti të krijojë edhe një opus të begatë letrar. Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.
Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj. /Telegrafi/