Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se ka disponim brenda subjekteve politike që zgjedhjet të mbahet më 6 tetor.
Pas një takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, Ahmeti tha se janë siguruar që të enjten të jenë të gjithë prezentë që të votojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe kështu tu hapet rrugë zgjedhjeve.
“U dakorduam që me 22 të jemi të gjithë në sallë për të siguruar që do të ndodhë shpërndarja e Kuvendit dhe t’i hapim rrugë zgjedhjeve. Siç duket, data që po përfolët më së shumti është 6 tetori. Pra nëse shpërndahet të enjten Kuvendi, atëherë mbesin dy data, 29 shtatori ose 6 tetori, por siç duket tek të gjithë ka një gatishmëri që zgjedhjet të mbahen me 6 tetor”, tha Ahmeti.
Ndërsa i pyetur nëse do të shkojnë në koalicion parazgjedhor me LDK-në, Ahmeti tha se LDK është e interesuar të shkojë e vetme në zgjedhje.
“Nuk e di tash, besoj se do ta diskutojmë. LDK është më e interesuar të shkojë e vetme në zgjedhje. Natyrisht varësisht prej rrethanave të tjera që i kanë thënë edhe vet nëse krijohet ndonjë mundësi apo diçka e partive të mëdha në koalicion, atëherë edhe këta do t’i shqyrtojnë seriozisht këto çështje. Por po e them mbetet në frymën e bashkëpunimit ku i kemi të hapura të gjitha temat, prej dialogut deri ta aspektet e ekonomisë dhe lufta kundër korrupsionit”, tha Ahmeti. /Telegrafi/