Site icon Telegrafi

Ahmeti: Jashtë NATO-s, Maqedonia vështirë të mbijetojë

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, mbrëmë ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan ku ka folur për çështjet aktuale politike. Ai tha se Maqedonia e ka të vështirë të mbijetojë si shtet jashtë NATO-s, duke shtuar se referendumi i 30 shtatorit është vula që mbyll një kapitull 25-vjeçar.

Ai gjithashtu theksoi se shqiptarët e Maqedonisë janë në vendin e tyre dhe se do të votojnë për anëtarësim në NATO dhe BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Dhe pa dyshim se shqiptarët votojnë për anëtarësim në NATO dhe BE dhe shqiptarët votojnë për arritjen e synimeve të tyre për një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë”, tha Ahmeti.

Sipas tij, BDI i ka bërë me dije edhe palës maqedonase, por edhe palës greke se cilët emra të shtetit janë të pranueshëm për shqiptarët.

“Jam takuar me shumë zyrtarë grek, më ato ndërkombëtarë dhe u kemi bërë me dije edhe palës maqedonase se cilët emra nuk janë të pranueshëm, apo cilët janë të pranueshëm për shqiptarët. Është me rëndësi se shqiptarët gjithmonë kanë qenë për zhbllokim të kontestit”, ka thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se marrëveshjet e mëdha gjithmonë bëhen me kompromise, por me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Përderisa jetojmë në një shtet, ne duhet të kujdesemi për historinë dhe identitetin e njëri-tjetrin. Unë nuk jam për revanshizëm. Ne duhet të japim porosi se ne nuk duam të sundojmë, apo të jemi arbitrazh në probleme tjera. Bëjnë gabime ata që deklarojnë se nëse shqiptarët kyçen në zgjidhjen e emrit, sepse këto deklarime nuk janë në shërbim të së mirës. Tani është koha për anëtarësim në NATO dhe fillim të bisedimeve me BE-në”, tha Ahmeti./Telegrafi/

Exit mobile version