Telegrafi

Ahmeti: Ishin zgjedhje të suksesshme

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për gazetën ‘Epoka e re’ i ka vlerësuar zgjedhjet si të suksesshme, edhe për partinë që ai drejton por edhe për vendin në përgjithësi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

”Këtë proces zgjedhor do ta vlerësoja të suksesshëm, në të cilin gjithçka ka shkuar në kuadër të normalitetit. Nuk ka pasur probleme, nuk ka pasur ndonjë çrregullim. Si i tillë, duhet të përshëndet nga të gjithë. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet nga i gjithë spektri politik, sepse zgjedhjet ishin korrekte dhe demokratike” i ka vlerësuar zgjedhjet Ahmeti.

Kryetari i BDI-së gjithashtu ka folur edhe për bashkëpunimin me LSDM-në.

”Edhe kjo ka të bëjë me deklarata dëshpëruese. Ju kisha lutur ta hapni faqen zyrtare të KShZ-së dhe ta shikoni rezultatin e raundit të parë, ku vota është partiake dhe etnike. BDI-ja ka mundur të dy partitë që ishin në koalicion. Në të gjitha vendbanimet BDI-ja ka dalë fituese edhe në garën për kryetar, edhe në atë për asamblistë. Pra, kjo nuk është diçka që unë e them për ta inkurajuar anëtarësinë e BDI-së apo për të krijuar inskenim, por është një e vërtetë që nuk mund të mohohet, sepse janë të dhënat nga KShZ-ja. BDI-ja i ka mundur të dyja partitë e tjera shqiptare në raundin e parë, ndërsa në balotazh ka dëshmuar rezultatin që ka arritur në raundin e parë. Ne kemi pritur edhe më mirë të dalim, por kjo është demokracia. Këtë rezultat e pranojmë. Unë i jam drejtuar gjithë opinionit duke thënë se edhe kryetarët e partive të tjera që kanë fituar disa komuna do të trajtohen si të barabartë nga qeveria qendrore, sepse edhe ata do të qeverisin me qytetarët tanë shqiptarë” ka përfunduar Ahmeti. /Telegrafi/