Telegrafi

Ahmeti: Ideja për kryeministër është menduar mirë, për të larguar të gjitha pengesat për barazi

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sot para Kuvendit të Maqedonisë duke folur për idenë për kryeministër shqiptar, tha se e njëjta është e menduar mirë për të larguar të gjitha pengesat për barazi të plotë.

“Sot ka ardhur koha që të vëmë gurin e fundit në muret e kalasë sonë që do të largojë hegjemonizmin etnik dhe do ti jep fund paragjykimeve. Kjo ide, kjo nismë për të larguar të gjitha pengesat drejt barazisë së plotë, hasi në reagime të jashtëzakonta, të përshpejtuara si dhe të pashpjeguara. Miq, të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë!

Ne e kemi menduar gjerë e gjatë këtë hap dhe kemi konstatuar që pas zbatimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, pas ndryshimit të Kushtetutës, emrit dhe marrëveshjeve të Prespës dhe fqinjësisë së mirë, pas anëtarësimit në NATO dhe hapjes së bisedimeve me Bashkimin Evropian, ka ardhur koha që ta shpalosim edhe këtë synim për të mirën e vendit tonë.

Nga realizimi i këtij synimi përfitojnë të gjithë, ashtu siç kanë përfituar të gjitha komunitetet më të vogla nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe prandaj pres që të gjitha komunitetet, edhe maqedonasit, të votojnë dhe të përkrahin numrin 9 në këto zgjedhje si opsion i vërtetë, opsion i drejtë dhe i duhur”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se kandidati për kryeministër nga radhët e BDI-së ka përvojë shumë më të madhe se sa të dy kandidat tjerë dhe nuk ka asnjë skandal prapa vetës, por është i respektuar gjithandej./Telegrafi/