Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur sot në selinë e BDIsë në Tetovë të dërguarin e posaçëm të Qeverisë Gjermane, Ambasadorin Johannes Haindl, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ahmeti i tha Haindl -it ”BDI mundësoi rikthimin e Parlamentit si parakusht elementar për çdo gjë, më pas anuluam zgjedhjet në afat të pacaktuar, njëkohësisht krijuam mundësi ligjore për terheqje të faljes së Ivanovit, siguruam garanca për vazhdimin e punës së prokurorisë speciale si dhe mbrenda vetëm një dite miratuam disa ligje të domosdoshme reformuese që nevojiten për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Këto hapa rikthyen stabilitetin dhe sigurinë ndërsa janë edhe parakusht për zbatimin e reformave që do të sjellin zgjedhje të besueshme. Marrëveshja e Përzhinos vijon në kapacitet të plotë, me prokurori speciale dhe komision zgjedhor të pavarur, ndërsa Qeveria do të zbaton reformat e parapara.” tha Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu ngriti nevojën për rikthim të agjendës së zgjidhjes së çështjes së emrit dhe ftoi Ambasadorin Haindl dhe Qeverinë Gjermane që të fokusojnë energjinë në këtë drejtim pasi që të gjitha çështjet e këtij vendi burojnë nga ky problem./Telegrafi/