Site icon Telegrafi

Ahmeti: Gjendja e të infektuarve nga Prishtina është stabile, na duhet më shumë bashkëpunim me IKSHPK-në

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se gjendja e të infektuarve me coronavirus e tre personave që vijnë nga Prishtina është stabile, duke shtuar se dy prej tyre nuk kanë as simptoma.

Ai ka thënë se janë dy rast në Tauk Bashqe e, janë raste që janë vet-izoluar në shtëpi dhe nuk kanë dalë.

Sipas tij, edhe familjarët e tjerë po rrinë në shtëpi dhe i ka vizituar policia disa herë dhe kanë komunikuar në telefon.

Ahmeti në “Zyrën e Ankesave” të RTV Dukagjinit tha se nuk ka ndonjë nevojë që kjo lagje të hyj në karantinë, sepse në këtë fazë qëndrojnë shumë mirë dhe nuk kanë simptoma, prandaj edhe nuk ka nevojë as për hospitalizim e as për karantinë.

Kërkesa e kryetarit të Prishtinës është që informatat nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të dërgohen më shpejt në Komuna.

Ai tha se kjo nuk është kritikë për ta, por se kërkon bashkëpunim, sepse duhet të njoftohen me kohë në mënyrë që të mund tu dalin në ndihmë.

“Na nevojitet informata më e shpejt, që të mund t’ju ndihmojmë, realizimi i informatave nuk është i mirë, nuk është kritikë, por na duhet bashkëpunim që të intervenojmë më shpejt”.

Në lidhje me dezinfektimin e ndërtesave, Ahmeti tha se do të vazhdojnë të dezinfektojnë të gjitha ndërtesat në Komunën e Prishtinës dhe hapësira tjera.

“Do të dezinfektojmë çdo hyrje, kërkojmë mirëkuptim të banorëve, me ata që kemi kontrata do t’i lajmërojmë, me të tjerët vetëm i lusim për mirëkuptim, nëse i shohin disa persona të veshur me të bardha vetëm të rrinë brenda, sepse do të dezinfektohen ndërtesat. Qendrat e Mjekësisë Familjare do t’i dezinfektojmë nga 20 herë nëse është e nevojshme, gjithashtu autobusët, i dezinfektojmë ambulancat në baza ditore. I kemi 15 Qendra të Mjekësisë Familjare. E kemi vendosur një tendë para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, që të mos hyjnë personat që dyshojnë se kanë coronvirus, por fillimisht në tendë tu matet temperatura dhe të shikohet se si të veprohet tutje”, tha Ahmeti.

Ai po ashtu përmendi edhe masat që i kanë marrë për t’i dalë në ndihmë nivelit qendror, nëse është e nevojshme në aspektin e hapësirave për karantim.

“E kemi nda një QKF-në nëse ka nevojë për karantinë, gjithashtu i kemi edhe shtëpizat në Gërmi ku janë rreth 50 shtretër. Mundemi edhe një tjetër QMF ta lirojmë. Kjo është ajo që deri tani kemi ofruar nëse ka nevojë për hospitalizim të shpejt, kur nuk ka më shumë krevate dhe QKUK-ja”, tha Ahmeti. /Telegrafi/

Exit mobile version