Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka pritur Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni, Charles Garrett me të cilin kanë diskutuar për tema të rëndësishme aktuale në Maqedoni dhe perspektivat e përbashkëta të dy vendeve.
Në njoftimin dërguar nga BDI-ja drejtuar Telegrafit në Maqedoni thuhet ”Lideri Ahmeti përsëriti përcaktimet prioritare të BDIsë në këtë shumicë parlamentare që janë reformat sistemore, në veçanti sundimi i së drejtës, fqinjësia e mirë, integrimi në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. BDI në veçanti është e përkushtuar për reformat në gjyqësor dhe sistemin e sigurisë me ç’rast theksoi që pas zgjedhjeve lokale, të gjitha energjitë tona do të fokusohen në realizimin e obligimeve para nesh.”
Garrett dhe Ahmeti janë ndarë me mendimin se Maqedonia duhet të përkushtohet për dialogun me Athinën dhe Sofjen që paraqet parakusht për zhbllokimin e procesit integrues për vendin tonë. /Telegrafi/