Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka treguar arsyet që e kanë çuar partinë e tij në një koalicion me AAK-në.
Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se koalicioni i PSD-së me AAK-në është komplementar ku dy partitë plotësojnë njëra tjetrën.
Ai ka thënë se edhe në partitë e “luftës” po ndodh një tranzicion me kandidatë të ri.
“Për ta bërë një tranzicion pa ndonjë pasojë për Kosovën, është nevojitur një koalicion i tillë si ai mes PSD-së dhe AAK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kryetari i PSD-së theksoi se Ramush Haradinaj ia ka “kthyer” PDK-së si askush deri më tani me dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit.
Ahmeti thotë se bashkëpunimi me AAK është bërë në baza programore, e sipas tij jo si po e bëjnë LDK me Vetëvendosjen ku po diskutojnë vetëm për pozita.
“Jemi pajtuar me disa tema si ushtria dhe mos ndryshimi i kufijve. Aleancës ia kemi ofruar në koalicion ato fusha ku ne jemi të fortë, e ato janë politikat ekonomike, politikat sociale dhe politikat në shëndetësi e arsim”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës është shprehur se janë pajtuar me Aleancën edhe për procesin e vettingut për pastërtinë e prokurorëve dhe gjykatësve.
“Edhe për politikanët duhet të ketë vetting. Ata që nuk mund ta dëshmojnë pasurinë, nuk kanë çfarë kërkojnë në politikë”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti./Telegrafi/