Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga drejtori i Kulturës në Komunë të Prishtinës, Besart Vllahinja, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës, ku u prit nga Hetem Sopjani, kryetar.
Në takim u fol për bashkëpunimin në mes të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, me theks të veçantë tek restaurimi i Xhamisë së Çarshisë.
Ahmeti tha se janë shpenzuar shumë para dhe kohë për restaurimin e kësaj xhamie, mirëpo xhamia ende ka mbetur në gjendje jofunksionale.
Pas vizitës së përbashkët të kryetarit dhe imamëve në këtë xhami, dhe krahasimit të punimeve që janë bërë në Xhaminë e Jashar Pashës, kryetari Ahmeti tha se është e papranueshme që kjo xhami, 640 vjet e vjetër, e që përveç funksionit fetar do të mund të ishte edhe pikë turistike e Prishtinës, të lihet në këtë gjendje.
Ai premtoi se Komuna e Prishtinës do të përkujdeset që Xhamia e Çarshisë të restaurohet dhe të ketë kujdesin e duhur si xhamia më e vjetër e qytetit.