Telegrafi

Ahmeti e Gjini kërkojnë të hiqet vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë, thonë se po bëhen turma të njerëzve

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Gjakovës, Ardian Gjini kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta heqin vendimin për kufizimin e lëvizjes pasi sipas tyre po në këtë kohë po bëhen turma të njerëzve.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se vendimi për 20-06 dhe 10-16 duhet urgjentisht të rishikohet.

“Informatat nga qyteti në periudhën 16-20 tregojnë grumbullime të panumërta të 20 e më shumë personave nëpër markete. Më e rrugës do të ishte 18 – 06 ose edhe më gjatë por jo kështu. Po krijohet pasiguri për qytetarët. Nuk është dobësi me ndërru politikën pas provës”, shkruan Ahmeti.

Njëjtë ka reaguar edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta heqë vendimin për ndalim qarkullim gjatë ditës.

“Ky vendim po del të jetë tepër i gabueshëm. Në orët kur lejohet lëvizja po ka turma të njerëzve që vrapojnë për t’u furnizuar apo kryer obligime tjera. Urgjent ju lutem”, shkruan Gjini. /Telegrafi/