Telegrafi

Ahmeti: Duhet të mendohet për pezullimin e kredive për periudhën e restriksioneve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar situatën në vend pas konfirmimit të dy rasteve me coronavirus.

I pari i Prishtinës, ka deklaruar se qytetarët do ta kuptojnë në ditët e para se nuk është vështirë me qëndru në shtëpi.

“Ditët e para do ta kuptojmë se nuk është shumë vështirë me qëndru në shtëpi dhe me ju shmang vendeve me shumë njerëz dhe shprehisë me dal pa arsye. Po ashtu do ta kuptojmë se nuk ka mungesë të produkteve”, ka pohuar Ahmeti.

Lexo po ashtu Bankat në Shqipëri ngrijnë pagesat e kësteve të kredisë për 3 muaj

Ai ka thënë se masat për shëndetin publik janë të drejta dhe me vend.

“Qeveria vetëm duhet të shtojë që kapacitetet profesionale e teknike të institucioneve private të shëndetësisë duhet të jenë në dispozicion të shtetit”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në Facebook, transmeton Telegrafi.

Mes tjerash, ai ka deklaruar se tani është koha që dikasteret përkatëse bashkë me shoqatat ekonomike të mendojnë për masat ekonomike.

“Restriksionet që i kemi vendos si shtet kanë efekt në biznese, dhe rrjedhimisht kanë efekt tek punëtorët. Bizneset pa të hyra munden mos me pagu paga, e punëtorët që çdo muaj mezi e kalojnë muajin do të ballafaqohen me vështirësi shumë të mëdha. Duhet të mendohet për pezullimin e kredive për periudhën e restriksioneve e deri të ndihmat bazike për më të rrezikuarit. Shëndet për të gjithë ne, e së bashku do të ja dalim”, thotë Ahmeti.

Ndryshe, dje janë konfirmuar rastet e para me coronavirus në Kosovë, një 77 vjeçar nga Vitia dhe një 20 vjeçare shtetase e Italisë por që ishte me qëndrim në Klinë. Pas konfirmimit të këtyre dy rasteve, komuna e Klinës dhe Vitisë janë në karantinë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë disa masa në mënyrë që të parandalohet përhapja e coronavirusit, Qeveria ka vendosur të mbyllen të gjithë kufijtë, lokalet e qendrat tregtare./Telegrafi/