Telegrafi

Ahmeti: Dallim i madh Prishtina me shumë kerre dhe me pak kerre, pas pandemisë do të marrim masa

Fluks i madh i qytetarëve me vetura është parë në kryeqytet pas lehtësimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kaluan disa javë që Prishtina ishte pothuajse e zbrazët.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se pasi të kaloj situata e krijuar nga pandemia COVID-19, do të ndërmerren shumë masa për të reduktuar numrin e veturave në qytet.

Ahmeti, duke theksuar se po vërehet dallim i madh në Prishtinë për shkak të qarkullimit të paktë të veturave, tha se njëra nga masat do të jetë edhe investimi në transport publik, ciklizëm e gjelbërim.

“ Dallim i madh Prishtina me shumë kerre dhe Prishtina me pak kerre. Pas pandemisë, si komunë do të kemi një varg masash për të reduktuar numrin e makinave prej pagesave për qendër, parkingjeve më të shtrenjta deri te mbyllja e rrugëve të caktuara në vikende, si dhe mbyllja e përhershme e disa rrugëve. Do të investojmë edhe më shumë në transport publik, ciklizëm dhe gjelbërim. Ska rrugë tjetër për ne. Jemi qytet shumë i bukur për tu shkatërruar nga kerret”, shkruan Ahmeti. /Telegrafi/