Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka kërkuar sot nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të sigurojë nga SHBA gjysmë milion vaksina anti-COVID-19 për qytetarët e Kosovës.
Kërkesa e kreut të Prishtinës vjen në kohën kur vendi deri më tash ka pranuar vetëm 24 mijë doza të vaksinës anti-COVID-19, të siguruara nga programi COVAX.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që t’i ndajnë për miqtë 70 milionë vaksina të AstraZeneca që i kanë kontraktuar më herët. Lus Qeverinë e Kosovës që të bëj kërkesë te SHBA për 500 mijë vaksina. Natyrisht që SHBA kanë shumë miq në nevojë, por nuk humbim asgjë nëse kërkojmë”, ka shkruan Ahmeti në Facebook.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë shumë kritika për shkak të mos nënshkrimit të kontratës me Pfizer, për sigurimin e vaksinave të reja anti-COVID-19 për qytetarët e Kosovës. Por, ministri Vitia ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ato janë të pavërteta.
Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars, një ditë pasi ishte pranuar kontingjenti i parë prej 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca nga COVAX.
Në 24 orët e fundit, Kosova ka regjistruar 194 raste të reja pozitive me coronavirus dhe 8 raste të vdekjes.
Numri total i rasteve pozitive është 104,390 raste nga 524,588 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2,148 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 599 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 92,571 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.671. /Telegrafi/