Telegrafi

Ahmeti ankohet se puna joserioze e ujësjellësit po harxhon durimin prishtinasve

Kryetrari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka akuzuar publikisht ujësjellësin rajonal “Prishtina”, për vonesa në kryerjen e punëve në shtrirjen e rrjetit të furnizimit me ujë, e për çka thotë se prishtinasve po u humb durimi.

“Qe një kohë tani nga viti i kaluar Ujësjellësi Regjional Prishtina ka filluar punimet për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit në disa lagje të Prishtinës. Kompania që e ka fituar tenderin në Ujësjellës është vonuar tepër shumë me punime. Disa herë komuna e Prishtinës ka kërkuar llogari nga Ujësjellësi mirëpo gjithmonë kemi marr arsyetimin që punimet janë vonuar sepse ka pas shumë punë”, ka thënë Ahmeti, në një postim në profilin e të tij në Facebook.

Ai ka thënë se kësaj radhe ka dal edhe një problem tjetër e që janë kyçjet individuale të shtëpive të cilat ujësjellësi po thotë se nuk kane qenë të përfshira në projektin e financuar nga KfW, dhe se tani ata qytetarë nuk po pranojnë që puna të vazhdojë pa u bërë këto kyçje.
“Ne edhe njëherë ju bëjmë thirrje edhe Ujësjellësit edhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që mbikëqyr këtë kompani që punimet të zhvillohen sa më shpejtë sepse punët e mbetura po shkaktojnë jashtëzakonisht shumë telashe për qytetarët e Prishtinës. Ne zotohemi edhe të ndihmojmë në përfundimin e punimeve por arsyetimet më po bëhen të tepërta nga ana e ujësjellësit”, ka shtuar ai.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se e “dinë rëndësinë e rrjetit të ujësjellësit në përmirësimin e furnizimit me ujë por puna jo serioze nga ujësjellësi dhe kompani të caktuara po e harxhojnë durimin e qytetarëve”. /Telegrafi/