Koordinatori nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj, ka theksuar se për shkak të mosrespektimit të procedurave janë rinumëruar 30 vendvotime.
Ai në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka bërë të ditur se gjatë procesit të futjes së të dhënave, për shkak të mospërputhjes se votave për subjekte politike dhe kandidatët, 115 vendvotime nuk kanë mundur ta kalojnë verifikimin.
“Të gjithë formularët që iu kanë nënshtruar procesit të rinumërimit, arsyet kanë qenë sepse ka pasur mospërputhje të votave të kandidatëve me subjektin politik. Kemi pasur raste – që në një vendvotim – kur një kandidat ka pasur më shumë vota se krejt subjekti”, ka thënë Ahmetaj.
Sipas tij, këto mospërputhje kanë ndodhë sepse votuesi ka votuar për më shumë se pesë kandidatë.
“Më pas gjatë bartjes të dhënat të cilat nuk janë shënuar saktë, sistemi menjëherë i ka refuzuar, veçanërisht rastet kur kandidatët kanë pasur vota, ndërsa subjektet jo”, ka shtuar Ahmetaj. /Telegrafi/