Site icon Telegrafi

Ahmetaj: QNR-ja e ka kryer numërimin, i mbetet PZAP-së të hetojë ankesat (Video)

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, ka thënë se ky institucion e ka kryer punën e vet sa i përket rinumërimit të votave që nuk janë përputhur me votat në qendrat e vendvotimeve.

Ndërsa ka thënë se rastet tjera tashmë i kanë kaluar PZAP-it e cila është duke i hetuar në mënyrë të pavarur.

“Të gjitha ato raste që QNR ka mundur t’i gjejë mospërputhjet i ka rregulluar dhe është bërë rinumërimi i tyre ku ato rezultate konsiderohen finale. Ato vendvotime ku nuk ka mundur t’i gjejë sepse gjithçka ka qenë në përputhje brenda numrit të nënshkrimeve, numrit të fletëvotimeve pra në shumicën e rasteve ku s’kemi mundur t’i hetojmë për shkak se gjithçka është përputhur, sigurisht janë objekt i hetimit nga PZAP”, ka thënë Ahmetaj, për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se i gjithë materiali që është kërkuar nga PZAP-ja dhe se në bazë të kompetencave pritet të nxjerrin edhe vendimet.

“Pra QNR sot siguron materialet të cilat PZAP-i i kërkon. PZAP i bënë hetimet në mënyrë të pavarur. Puna jonë është që t’i sigurojmë materialet dhe nuk përzihemi në punë e hetimit, sepse kjo është kompetencë e PZAP-it dhe në bazë të kësaj kompetence i nxjerrin edhe vendimet”, ka thënë Ahmetaj.

Kujtojmë se kandidatët për deputetë kanë deponuar në PZAP 65 ankesa për vjedhje votash, ndërsa vetëm 24 prej tyre janë bërë subjekt i hetimit dhe se rezultatet do të dalin të hënën.

Exit mobile version