Site icon Telegrafi

Ahmetaj: Porti i Durrësit ndalesa e fundit për importuesit kosovarë

Foto: Arkiv

Unifikimi i tregut nuk është thjesht një dëshirë politike apo një dëshirë romantike, por është një proces konkret i cili hap pas hapi dhe vit pas viti bëhet edhe më i prekshëm.

Kështu u tha në tryezën “Dialogu ndërshtetëror: të bërit biznes dhe sfidat e qasjes në tregjet respektive”, që morën pjesë dy ministrat e Financave, ai i Kosovës dhe i Shqipërisë.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti tha se ky është një takim parapërgatitor për mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Pa specifikuar se për cilat marrëveshje është fjala, Hoti tha se në mbledhjen e përbashkët të dyja Qeverive shqiptare që do të mbahet më 3 qershor do të nënshkruhen dy marrëveshje dhe do të raportohet për progresin e arritur.

Hoti tha se ende duhet punuar për unifikimin e tregut të përbashkët dhe do të hapen rrugët për heqjen e barrierave që kanë mbetur ende, ato kufitare dhe tregtare.

“Kemi bërë progres të konsiderueshëm në këtë çështje, ka edhe çështja të tjera të cilat duhet të punojmë akoma për të unifikuar tregjet tonë në dy anët e kufirit, drejt një tregu të përbashkët për tu siguruar se të dyja ekonomitë e të dy vendeve të shfrytëzojnë komlimentaritetin që kemi edhe në ekonomi për veç fushave të tjera. Jemi të nderuar që sot ministri është këtu për të diskutuar dhe pajtuar për një dinamikë të përgjithshme për masat që po i ndërmarrim ndërkohë drejt arritjes së këtyre objektivave”, tha Hoti.

Ministri i Hoti tha se marrëdhëniet tregtare kanë shënuar rritje, por ka edhe hapësirë që të heqin çfarë do lloj barriere teknike formale.

Ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj tha se janë në përpjekje të thjeshtësojnë procedurat doganore dhe tregtare. Sipas tij importuesit kosovarë dhe Kosova mund ta shfrytëzojnë portin e Durrësit, i cili sipas tij do të funksionojë si ndalesa e fundit për importuesit kosovarë. Po ashtu ai tha se unifikimi i tregut duhet të ndodhë, por është në proces që bëhet hap pas hapi.

“Kemi prekur çështje specifike dhe konkrete të cilat shkojnë në thjeshtësimin e më tejshëm të procedurave doganore dhe tregtare në favor të dy anëve. Unifikimi i tregut nuk është thjesht një dëshirë politike apo një dëshirë romantike, por është një proces konkret i cili hap pas havi dhe vit pas viti bëhet edhe më i prekshëm”, tha Ahmetaj.

Ai tha se tregtia në mes dy vendeve ka përmirësime dhe kanë mundësi volumet tregtare për t’u rritur edhe më tej. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit mirëpo në momentin ku u hap debati mediet u nxorën jashtë. /Telegrafi/

Exit mobile version