Ministrja e Integrimit Evropian,Mimoza Ahmetaj ishte pjesë e takimit të Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë. Gjatë takimit u diskutua ‘Strategjia e Evropës Juglindore 2020: Raporti Vjetor i Implementimit për vitin 2017’.
Me këtë rast Ministrja Ahmetaj i njoftoi të pranishmit për reformat strukturore që i ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes dhe krijimin e kushteve për konkurrencë dhe investime të huaja direkte.
Ajo tha se një arritje tjetër e rëndësishme është edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila ka hapur dyert e tregut të madh të BE-së për prodhuesit Kosovar.
Gjithsesi, Ahmetaj gjithashtu vlerësoi lartë të dhënat e raportit dhe shprehu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Për më tepër Ministrja Ahmetaj shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës që të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal sfidë e cila është evidentuar edhe në raportin e fundit të bordit të RCC. /Telegrafi/