Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ankimon në Gjykatën e Posaçme GJKKO vendimin për kontrollin e banesës së partneres.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se përmes avokatit, deputeti pretendon se është shkelur ligji pasi nuk është marrë autorizim nga Kuvendi.
Avokati i Ahmetaj, thekson në ankimimin e bërë në gjykatë se kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së deputetit, Erjola Hoxha, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu në ankimim nënvizohet se kontrollet e pabazuara në prova kanë cënuar dinjitetin njerëzor në zonjës Hoxha, shkeljen e privatësisë, si dhe janë në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.
Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. /Telegrafi/