Site icon Telegrafi

Ahmetaj: Gjermania të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj priti të mërkurën në takim anëtarët e parlamentit të Baden-Württemberg, me të cilët diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Me këtë rast Ahmetaj njoftoi të pranishmit për zhvillimet aktuale në Kosovë, agjendën evropiane dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve.

“Në Kosovë ekziston një konsensus ndërpartiak, dhe përkrahje gjithë-popullore për procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ndërsa për avancimin e Kosovës me agjendën evropiane nevojitet përkrahje e vazhdueshme ndërkombëtare veçanërisht nga Gjermania si shtet mik i Kosovës. Kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e kapaciteteve institucionale për të menaxhuar me procesin e integrimit Evropian është i nevojshëm dhe si i tillë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Populli i Kosovës është falënderues popullit dhe shtetit gjerman për kontributin e vazhdueshëm”, tha ajo.

Në takim u diskutua për çështje kyçe me agjendën evropiane, të cilat e presin qeverinë e re, e që janë ratifikimi në Kuvend i demarkacionit me Malin e Zi, dhe vazhdimi i pa kompromis i luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Nga ana e tyre, deputetet e parlamentit të Baden-Württemberg shfaqën interesim të shtuar për planet për zhvillimin ekonomik të vendit, uljen e papunësisë, shërbimet shëndetësore, sikurse edhe për zhvillimet tjera në rajon.

Ndër konstatimet e tyre ishte se rritja ekonomike e vendit është çelësi i zhvillimit të përgjithshëm të vendit, ekonomisë, arsimit, politikës dhe demokracisë.

Exit mobile version