Ekonomia shqiptare ka pësuar një rritje ka bërë të ditur Ministri i Financave Arben Ahmetaj në një konference për media, ku ka folur edhe për ecurinë ekonomike për 8-mujorin e këtij viti.
Sipas Ahmetajt, kjo është një rritje që duke e krahasuar me 5 vitet e fundit konsiderohet si më e larta.
“Rritja ekonomike për 3 mujorin e parë është 2.96%, është rritja më e madhe në 5 vitet e fundit. Kemi rritje të rëndësishme në krahasim me 3 mujorët e tjerë. Shifrat ekonomike janë pjesë e debatit politik. Nuk ka ndryshuar asnjë parashikim për rritjen ekonomike. Në krahasim me rajonin, rritja e 3 mujorit të parë është e konsiderueshme. Ne mbetemi mbi mesataren e rajonit”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave duke u ndalur tek performanca e të ardhurave, tha se në këtë 8-mujor janë mbledhur 17.2 miliardë lekë më shumë, ndëkrohë që të ardhurat kanë pësuar rritje në masën 7%. “Lidhur me performancën e 8-mujorit për të ardhurat, në këtë periudhë kemi mbledhur 17.2 miliardë lekë më shumë. Rritja e totalit të të ardhurave është rritur me 7 %, ndërkohë që mesatarja në 3 vitet e fundit është 3.25 dhe në tre vite është 0.7%”, theksoi ai.
Duke u ndalur tek tatimet, doganat, sigurimet shoqërore Ahmetaj shtoi se janë mbledhur 190 milionë dollarë më shumë. “Sa i përket tatimeve, doganave e sigurimeve, janë mbledhur 19.4 milionë dollarë më shumë. Rritja është 9.9% gati 190 milion dollarë më shumë në këtë 8-mujor. Në dy vite, mesatarja është 2.8% ndërsa në 2012-2013 mesatarja ishte 0.8%. Rënie në këtë 8 mujor ka birra,një detaj i pazakontë. Cigaret kanë rritje 19%, pijet alkoolike 35.8%, vera 14%, pijet energjike 13%, kafeja në të njëjtat nivele, karburantet 3.2%’ tha ai.
Duke u ndalur tek borxhi, ministri tha se falë mirëmenaxhimit ngarkesa në borxh ka kaluar në favor të borxhit afatgjatë. “Nuk kemi detyrime të prapambetura. Menaxhimi i mirë ka ulur shlyerjen e borxhit në tregun e interesave. Ngarkesa në borxh ka kaluar në favor të borxhit afatgjatë. Ndjesia ekonomike ka përmirësim të theksuar në 3-mujorin e dytë, në atë të tretin pritet lëvizje pozitive” tha Ahmetaj.
Sa ia përket papunësisë, Ahmetaj ka thënë se ka rënie 15.9%, çka është edhe hera e parë që arrihet një nivel i tillë. “Papunësia është në rënie në 15.9%, për herë të parë shkon në këtë nivel. Kemi bërë ridefinicionin e papunësisë. Mund të them se papunësia e të rinjve ka rënie të lehtë, ky është ndikim i drejtpërdrejtë i reformave dhe rritjes ekonomike”, tha ai. /Telegrafi/