Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth procesit të numërimit të votave për zgjedhjet lokale që u mbajtën dje.
Ahmetaj ka thënë se në rast të paraqitjes së ndonjë ankese për kandidatët për kryetar komune, mund ta vonojë shpalljen e rezultateve, mirëpo kjo gjë nuk do të ndikojë në mbajtjen e raundit të dytë të balotazhit të paraparë sipas Ligjit për Zgjedhje Lokale.
“Ankesat janë të natyrës së ndryshme, nëse ankesa ka të bëjë për Kuvend Komunal kjo gjë nuk e pengon shpalljen e rezultateve, por në rast se ankesa është për Kryetar Komune mund ta shtyjë shpalljen e rezultateve, por nuk mund të vonojë mbajtjen e balotazhit siç është paraparë”, ka thënë Ahmetaj.
Duke folur rreth vonesave të shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja ditën e djeshme, Ahmetaj ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të disa problemeve teknike.
“Ne i kemi marr me kohë të dhënat, por nuk kanë mundur të publikohen për shkak të problemeve teknike”, u shpreh Ahmetaj. /Telegafi/