Këtë veprim ata e kanë ndërmarrë duke u bazuar në dekretin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaha, e cila disa ditë më parë ka dekretuar emrat e shumicës së kandidatëve për ambasadorë të rinj të Republikës së Kosovës.
Burime të besueshme të “Zërit”, të afërta me procesin e emërimit të ambasadorëve, tregojnë se kërkesa për agremente të ambasadorëve të rinj nga shtetet përkatëse janë dërguar pothuajse në të gjitha vendet, përjashtuar në Bruksel dhe në Arabi.
“Janë dërguar agremente për të gjithë kandidatët, përjashtuar për Ahmet Shalën (i propozuar për ambasador në Bruksel) dhe Amir Ahmetin (i propozuar për ambasador në Arabi)”, thotë burimi.
Ai burim bën të ditur se vetë qeveria nuk është e interesuar që Shalën dhe Ahmetin t’i dërgojë ambasadorë, prandaj “Shalës po i thonë se nuk po të pranon Brukseli, ndërsa Ahmetit i kanë propozuar që të shkojë zëvendësambasador, por ai nuk ka pranuar”.
Gjithnjë sipas këtij burimi, institucionet e vendit tashmë e kanë pranuar agrementin nga Republika e Shqipërisë, e cila i ka thënë “po” kandidatit Sylejman Selimi. “Shqipëria e ka pranuar Selimin për ambasador. Aty ka qenë më lehtë, sepse Kosova kaherë nuk ka ambasador në Shqipëri”, ka theksuar ai. /Telegrafi/