Site icon Telegrafi

Ahmet Krasniqi në janar 1997 kërkonte rezistencë me luftë

Në letrën që i drejtohet kryetarit Ibrahim Rugova, kryetarit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ndër të tjera thuhet: “Grupi punues i Shoqatës së Oficerëve Shqiptarë (që braktisën ish APJ-në), mori në përgjegjësi të bëj një vlerësim të shkurtër të situatës ushtarake në Kosovë (Shqipëri Veriore) dhe i njëjti vlerësim t’i dërgohet organe-ve më të larta të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të avancohet një strategji aktive e cila sipas kërkesave mund të ngrihet gradualisht në një ofensivë e cila do të mundësonte realizimin e aspiratave të popullit shqiptar në Kosovë të artikuluuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Referendumin gjithëpopullor.

Kjo analizë ka për qëllim në rend të parë të ndikojë në zgjedhjen e një strategjie aktive për një ardhmëri të sigurt, ku ‘çdo njeriu dhe qytetari i garantohen liritë…’ (neni 7 i Kushtetutës së RK) dhe ku ‘Republika e Kosovës ushtron pushtetin shtetëror në mënyrë sovrane’ (neni 12 i Kushtetutës së RK).

Mendojmë se do të kuptoni qëllimin tonë për një analizë të tillë dhe sipas këtij shembulli do të angazhoni grupe dhe institucione për vlerësimin e situatave tjera me rëndësi vitale për Republikën tonë (situatën ekonomike, politike, demografike etj.) dhe në bazë të këtyre analizave më pastaj do të ishte e mundshme të vlerësohej situata e përgjithshme në Republikë dhe në saje të rezultateve të avancohej një strategji e qëlluar.

Grupi punues i Shoqatës së Oficerëve Shqiptar përkrah politikën paqësore që po ndjek udhëheqësia më e lartë e Republikës së Kosovës dhe është i mendimit se krijimi i një strategjia aktive vetëm se do ta avanconte këtë politikë dhe do të shpejtonte zgjedhjen e problemit të Kosovës”.

LEXO PO ASHTU: Trupi i pajetë i Ahmet Krasniqit dhe varrimi i tij (Foto/Video, +18)

Në letrën e dërguar, gjendet edhe plani i organizimit të, siç thuhej në letër, Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Autenticitetin e këtij dokumenti (një nga katër kopjet e dërguara) e konfirmon artisti Fahredin Spahija, i cili e ka radhitur këtë dokument. Sipas tij, Krasniqi ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ushtarakët shqiptarë të Kosovës dhe e ka përcjellë gjendjen në terren.

“Ky dokument ka pasë për qëllim t’i njoftojë krerët e politikës në Kosovë e Shqipëri për gjendjen aktuale në Kosovë dhe për një strategji të mundshme të shqiptarëve karshi pushtuesit”, thotë Spahija për Telegrafin.

Letra nënshkruhet me pseudonime. Spahija thotë se kjo ka ndodhë nga frika se letra mund të bie në duar të gabuara.

“Nuk kanë dashur të rrezikojnë të zbulohen para se t’i jetësojnë planet dhe organizimin e tyre,.por të informojnë parinë politike shqiptare se këta ushtarakë janë të gatshëm me marrë përsipër mbrojtjen dhe organizimin e luftës në Kosovë”, thekson Spahija. “Skema e konceptuar në fillim nga Krasniqi, natyrisht se ndërron më vonë, sepse ndërrojnë edhe rrethanat në terren (shih skicat e postuara më poshtë – v.j.). Por, një gjë duhet të dihet se organizimi i tij nuk ka mbirë brenda nate”.

Dokumentet e postuara më poshtë janë nga arkivi i Fahredin Spahisë. Ai i ka përgatitur këto dokumente, të cilat janë nënshkruar pastaj nga personat përgjegjës. /Telegrafi/

Faqja e parë e letrës së dërguar në janar 1997

 

Faqja e dytë e letrës së dërguar në janar 1997

 

Struktura organizative e Shtabit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës (SHURK). Ky dokument dhe të tjerat më poshtë janë të vitit 1998, kur Krasniqi është emëruar ministër i Mbrojtjes dhe Komandant i FARK-ut

 

Struktura Organizative e Brigadës

 

Mobilizimi jashtë Kosovës duke i shfrytëzuar Shtabet e Emergjencës

 

Rregullore dhe Konto Plan i Përkohshëm, sipas së cilës kolonel Krasniqi synonte që mjetet e shqiptarëve të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe të dokumentohen të gjitha shpenzimet (gjejeni më poshtë edhe faqen e dytë)

 

Exit mobile version