Nënkryetari i AAK-së – njëherësh deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës – Ahmet Isufi, në një intervistë dhënë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahun, ka thënë se janë të hapur për koalicione me partitë tjera jashtë koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN), për formimin e një qeverie kredibile.
Sipas tij, i nominurari i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka siguruar numrat për të krijuar Ekzekutivin e ardhshëm.
“Ju kemi dërguar ftesë partive politike për konsultime rreth formimit të Qeverisë. Kemi ofertë të hapur për ta. Në rastin e parë kanë refuzuar publikisht dy partitë shqiptare. Haradinajt i është dhënë autorizim i plotë që të komunikojë me partitë tjera politike. Ftesat janë, gatishmëria varet nga dy subjektet. Do të ishte mirë që të kemi një qeveri me baze të gjerë që të ketë stabilitet”, ka thënë Isufi, duke shtuar se janë të interesuar që sa më shpejt ta formojnë Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi “kjo është në interes të qytetarëve dhe të shtetit”. /Telegrafi/