Poezi nga: Stefan Çapaliku
– Sarës së vogël –
Ah, sa gjëra ke për të mësuar!
Do mësosh së pari se ujku, mica, pula,
ketri, breshka, zogjtë, urithi,
s’kanë lindur veç për përralla
Ato jetojnë të ndarë e krejt ndryshe
mendojnë për jetën e këtushme.
do mësosh se njëshi, dyshi, treshi
s’kanë fare të bëjnë me gishtat e dorës
as me lapsat e mollët mbi tavolinë
ato vetëm na çatrafilojnë
ndër hesapet që bëjmë për jetën e këtushme.
do mësosh se fjala e kuqe, e gjelbër
mund të shkruhen edhe me laps të verdhë, të zi
kështu ngjyrat asgjë nuk thonë, ato
vetëm janë, thjesht për të besuar
se ka gjëra që ndërrojnë në jetën e këtushme.
Ti atëherë do jesh rritur.
Ah, sa gjëra ke për të harruar!
Do harrosh së pari se ujku, mica, pula,
ketri, breshka, zogjtë, urithi,
s’kanë lindur veç për përralla
Ato jetojnë të ndarë e krejt ndryshe
mendojnë për jetën e këtushme.
do harrosh se njëshi, dyshi, treshi
s’kanë fare të bëjnë me gishtat e dorës
as me lapsat e mollët mbi tavolinë
ato vetëm na çatrafilojnë
ndër hesapet që bëjmë për jetën e këtushme.
do harrosh se fjala e kuqe, e gjelbër
mund të shkruhen edhe me laps të verdhë, të zi
kështu ngjyrat asgjë nuk thonë, ato
vetëm janë, thjesht për të besuar
se ka gjëra që ndërrojnë në jetën e këtushme.
Ti atëherë do jesh plakur.