Ekspozita e radhës ndërkombëtare e piktorit nga Tetova Agron Saliu është mbajtur në “Palais Palfy” të Vjenës. Kjo ekspozitë për të dytën radhë po mundohet të ndërtojë ura lidhëse ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme, kësaj radhe nën emërtimin “Prelude”, njofton gazeta KOHA.
“Pas debutimit të suksesshëm në Austri të Agron Saliu vitin e kaluar, ne jemi të kënaqur për të prezantuar përsëri në Vjenë këtë artist të rëndësishëm të ri dhe të suksesshëm nga Maqedonia. Kjo ekspozitë nga ana tjetër është sukses nga mbështetja miqësore e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë”, tha Ginter Vahtël, galerist dhe kryetar i shoqatës “Kulturkreis” me rastin e hapjes së ekspozitës së piktorit Agron Saliu në Vjenë. Ekspozita është organizuar nga “Kulturkreis Wien” me në krye Ginter Vahtël dhe nën koordinim të Besim Abdullait dhe zonjës Aygin Mehbalieva nga Vjena. Ekspozita është përkrahur nga Ministria e Kulturës së RM, nga qendra kulturore “Palais Palfy” dhe “Kulturkreis Wien”.
Piktori Agron Saliu është pjesëmarrës në disa ekspozita ndërkombëtare dhe vendore, kurse nga kritika vlerësohet sidomos për mjeshtërinë e tij në portrete. /Telegrafi/