Drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media në lidhje me sulmin fizik të kryer sot ndaj tij nga disa pjesëtarë të Policisë, ka pohuar se me personat që e kanë sulmuar nuk ka pasur asnjë problem dhe se nuk e di se cila ka qenë arsye e sulmit ndaj tij.
“Ka qenë mirë i organizuar. Brenda lokalit është polici në uniformë që nuk reagon”, ka treguar para mediave Mustafa, duke shtuar se nuk ka qenë në njohuri të ndonjë sulmi të mundshëm. “Po ta dija, nuk do shkoja andej, së paku do ta ktheja rrugën”.
“Polici që s’ia di emrin – po e njoh si Tarkan dhe e di që është një nga policët e krimit të organizuar – thërret me emër personin me të cilin isha aty. Në tentim të përshëndetjes me të, në veçanti nga shoqëruesi im, u sulmuam. Fjala e parë e tij ishte e sharë hiqe atë dorë more se kështu e ashtu nënës dhe menjëherë më sulmoi me grusht”, shpjegoi ai. “Më rrëzoi dhe shkelmoi. Nazim Sahiti, person me të cilin nuk kam pasur probleme, largon personin tjetër me të cilin isha duke i lejuar Tarkanit të më sulmoj. Nazimi më shau dhe më tha hup”.
Ai ka thënë se sulmin e ka paraqitur në polici dhe po ashtu ka shkuar në Emergjencë, ku pohoi se ka disa lëndime, ndërsa dhembje më së shumti ndjen në pjesën e kraharorit.
Mustafa tha se nuk është frikësuar dhe se do të vazhdojë punën.