Personi që riktheu hijen e frikës në Francën e përballur disa herë me sulme terroriste është identifikuar si 39-vjeçari Ziyed Ben Belgacem.
Një kriminel i dënuar më parë e me lidhje me Islamin radikal, ai tentoi t’i rrëmbente mitralozin një ushtareje në aeroportin e Orli-së në Francë para se të qëllohej për vdekje nga kolegët e saj.
Siç bëri të ditur Prokurori i Parisit, Fransua Molin përpara se të vritej kishte thërritur: “Jam këtu për të vdekur për Allahun, do të ketë shumë viktima…”, transmeton TCH.
Vetëm dy orë para ngjarjes kishte plagosur një polic gjatë një kontrolli rutine në një periferi të Parisit e më pas ishte arratisur me një automjet të grabitur.
Autoritet franceze bënë me dije se agresori dyshohej për lidhje terroriste dhe shtëpia e tij ishte mes dhjetëra banesave të bastisura në nëntor të 2015-s pas sulmeve ku mbetën të vrarë 130 persona.
Aeroporti i Orlisë u rihap pasi qëndroi disa orë i mbyllur, ndërsa gjendja e gatishmërisë në Paris vazhdon të jetë e lartë.