Site icon Telegrafi

Agresioni rus në Ukrainë, Sveçla: Jemi të gatshëm që të strehojmë deri 5 mijë refugjatë

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla në Konferencën Ministrore “Menaxhimi i qëndrueshëm i migrimit në Ballkanin Perëndimor” në Shkup ka prezantuar rezultatet e arritura në luftimin e kontrabandës me migrantë.

Ai gjatë fjalimit të tij tha se vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka iniciuar 32 raste të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve.

Sipas tij, gjatë të njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me migrantë.

Ministri Sveçla theksoi nevojën për tu përgjigjur situatave të reja të krijuara si rezultat i luftës së paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e flukseve të migrimit, kryesisht gra dhe fëmijë.

Sveçla shprehu gatishmërinë e Qeverisë që të strehojnë deri 5,000 refugjatë, si dhe kontributin që si Kosovë ka dhënë në mbrojtje të gazetarëve ukrainas, ku tashmë 11 prej tyre jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Tutje sipas njoftimit, Sveçla theksoi edhe një herë angazhimin e Qeverisë për të punuar së bashku për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe më gjerë, në mënyrë që t’i përgjigjen të gjitha sfidave, si dhe të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave evropiane dhe të demokracisë.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për adresimin e sfidave nga flukset e migracionit si rrjedhojë e dinamikave të reja të sigurisë dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme të migracionit, të ndërtuara mbi një konsensus politik me qëllim të reagimit dhe parandalimit të formave të reja të migrimit.

“Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen dhe si rrjedhojë është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka si synim menaxhimin e migracionit të rregullt, garantimin e migrimit të sigurt dhe mirë të organizuar si dhe fuqizimin e masave për të luftuar dhe parandaluar migrimin e parregullt”, ka thënë Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version