Telegrafi

Agresioni rus dhe Shqipëria, Fatmir Mediu: Kur mund të aktivizohet neni pesë i NATO-s

Rënia e raketave me origjinë ruse në Poloni, shtet anëtar i NATO-s, duke lënë të vdekur dy persona, ka shkaktuar shqetësim për zgjerimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tregoi se kur mund të aktivizohet neni pesë i aleancës dhe se çfarë përmban.

Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Mediu tha se Shqipëria është vend i NATO-s dhe mund të mbrohet përmes nenit pesë, që ka të bëjë me përgjigjen ushtarake të aleancës si një e tërë.

Por, ai nënvizoi se fillimisht aktivizohet neni katër, kur vendet e NATO-s mblidhen për të dalë me një vendim të përbashkët.

“Që në fillim të agresionit, por edhe mbrapa, Rusia dhe Putin kanë deklaruar se nëse vendet anëtare të NATO-s do ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën, kufijtë e luftës do të zgjerohen. Qëndrimet politike kanë qenë të përsëritura. Kjo që ka ndodhur është një kërcënim i drejtpërdrejtë,” the Mediu.

“Edhe ne si shqiptarë themi, jemi vend i NATO-s, na mbron neni 5, por ka edhe një nen 4, që detyron vendet e NATO-s që të ulen për të marrë një vendim konsensual. Neni 5, është një vendim konsensual, sa i përket një sulmi që i bëhet një vendi anëtar të NATO-s, për t’u përgjigjur si NATO në mënyrë të përbashkët”, theksoi ai.

Dy persona kanë vdekur në Poloni pasi dy raketa me origjinë ruse ranë pranë kufirit të vendit me Ukrainën.

Raketat ranë në qytetin Przewodów, duke rezultuar në përplasjen e avionëve ushtarakë polakë, sipas mediave lokale.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thirrur një takim urgjent të zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së vendit, sipas zëdhënësit të qeverisë Piotr Mueller. /Telegrafi/