Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll nesër do të përballet me Maltën në takimin e vlefshëm të eliminatoreve të Kampionatit Euro 2024.
Pas barazimit me Italinë në Shkup, Maqedonia do të kërkoj tre pikë ndaj Maltës dhe i të njëjtit mendim është edhe reprezentuesi shqiptar, Agon Elezi, i cili mes tjerash thotë se ndeshja e nesërme do të jetë më ndryshe nga ajo me italianët.
Elezi luajti nga minuta e parë ndaj Italisë dhe me sukses po bën karrierë te Varzdin në Kroaci.
“Sa i përket lojës është e vërtetë që do të jetë komplet ndryshe se ajo me Italinë ku shumicën e kohës ne kemi qenë në mbrojtje”.
“Tash është krejt ndryshe sepse ne duhet të sulmojmë e duhet ta mbajmë topin të krijojmë raste, por unë nuk kam dyshim fare, djemtë kanë dëshmuar se kanë kualitet në secilin lloj të ndeshjeve dhe nesër është shumë mundësi e mirë që të marrim tri pikë dhe ta përfundojmë këtë cikël shumë pozitiv” , tha Agon Elezi, i cili ndaj Italisë luajti nga minuta e parë dhe kishte paraqitje fantastike në fushë.
Ndeshja ndërmjet Maltës dhe Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet nesër në stadiumin nacional të Maltës, duke nisur nga ora 20:45. /Telegrafi/