Ansi Agolli dhe Qarabagu e kanë festuar titullin e katërt radhazi si kampionë të Azerbajxhanit, të pestin në historinë e klubit.
Titulli ishte fituar matematikisht disa javë më parë, por ceremonia e dorëzimit të trofeut u zhvillua pas ndeshjes së parafundit të Premierligës azere, e fituar me rezultatin 2-1 përballë Sumqayit, transmeton SuperSport.
Një sezon i dominuar gjatë nga Qarabagu, që pas 27 javëve të luajtura ka grumbulluar 59 pikë, ndërsa do ta mbyllë kampionatin me udhëtimin në fushën e Neftçi, por është i pakapshëm nga rivalët më të afërt të Gabalasë.
Prej transferimit në vitin 2010 në Azerbajxhan, kapiteni i Kombëtares është shndërruar në një prej futbollistëve shqiptarë më të suksesshëm për trofe të fituar.
Agolli do ta mbyllë sezonin me datë 5 maj, me finalen e Kupës përballë Gabalasë, ku Qarabagu do të synojë që për të tretin sezon radhazi ti fitojë të dy trofetë.