Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AGM) kërkon nga anëtarët e tyre të mos nënshtrohen ndaj kërcënimeve dhe trysnive dhe të mos heqin tekstet që kanë të bëjnë me aferën ‘Haraçi’.
“Kryeministri Zoran Zaev pardje ju bëri thirrje gazetarëve që në mënyrë të lirshme të publikojnë, ndërsa kur e bënë një gjë të tillë, ai kërcënohet me aktpadi kundër një gazetari që publikoi dokument për aferën ‘Haraçi’ ku përmendet emri i tij”, thonë nga AGM, përcjell Telegrafi Maqedoni.
AGM thotë se edhe funksionarët tjerë që përmenden në dokument kryejnë trysni të drejtpërdrejtë dhe kufizojnë lirinë e mediave.
“AGM ju bën thirrje këtyre funksionarëve ta padisin kryeministrin Zaev, për shkak se ai pikërisht ju bëri thirrje gazetarëve dhe mediave në disa raste që në mënyrë të lirshme të raportojnë dhe të informojnë, duke përfshirë edhe infromacionet për rastin ‘Haraçi'”, thonë nga AGM.
Asnjë media apo gazetar, thonë nga AGM, nuk ju ka njoftuar me Boki 13 dhe nuk ju obligonte të nënshkruani memorandume për shtëpi pleqsh fiktiv dhe nuk ju detyronte të fotografoheni në mbrëmje të përbashkëta me të.
“Sa i përket PTHP-së dhe frikësimit se është vepër penale publikimi i dokumenteve, se nuk respektohet prezumimi i pafajësisë dhe rrezikohet jeta e personave nga hetim, duhet të potencohet se dokumentet dhe incizimet për rastin Haraçi janë të karakterit publik, për shkak se bëhet fjalë për aferën më të madhe kriminale që nga pavarësia e Maqedonisë, ku marrin pjesë persona në krye Qeverisë, PSP-së dhe gjyqësisë. Rikujtojmë Ljubomir Joveskin se ai pikërisht në konferencë për shtyp deklaroi se nuk ka pasur politikanë të përfshirë në rastin Haraçi ndërsa procesverbali e dëshmon të kundërtën”, thonë nga AGM./Telegrafi/