Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka përcjellur me shqetësim votimin në Kuvend të Luljeta Aliut për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve.
Votimi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e një avokateje publike të politikave të saj në Qeveri, tregon hapur intencën e partisë në pushtet për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura mediale.
Komisioni i Pavarur i Medieve duhet të ruajë pavarësinë politike dhe partiake, për të kryer në mënyrë të pandikuar punën për monitorimin dhe rregullimin e skenës audio-vizuale në Kosovë.
Emërimi i Aliut shkon në kundërshtim me këtë përpjekje, dhe mund t’i kontribuojë klimës anti-medie që kjo qeveri ka krijuar, në shumë raste në dy vitet e fundit.
Po ashtu edhe Qendra Evropiane për Liri të Mediave (ECPMF) ka reaguar pas zgjedhjes së Luljeta Aliut anëtare të Komisionit të Pavarur për Media.
ECPMF ka thënë se Aliu mbështet publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet e pavarur.
“Aliu ka përkrahur me zë, rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe politikat e saj. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”, thuhet në reagimin e kësaj qendre.
Tutje kjo qendër thotë se ky zhvillim bie ndesh me depolitizimin e KPM-së dhe do ta raportojë atë edhe në Këshillin e Evropës./Telegrafi/