Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar të hënën lidhur me mbylljen e seancës në rastin Sali Mekaj.
AGK thekson se kanë pritur se ky vendim do të ndryshohej dhe se gjykata do të krijonte transparencë, ndërkaq me mos ndryshimin e vendimit për rihapje të seancës, sistemi i drejtësisë ka injoruar kërkesat e publikut dhe komunitetit të gazetarëve.
“Arsyetimi i gjyqtarit të rastit se seancat janë mbyllur krejtësisht për shkak të mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë nuk është i qëndrueshëm. Në kërkojmë që ky rast të rihapet për opinion. Mund të jetë i pranueshëm vendimi për mbylljen e disa seancave porse jo i gjithë procesi gjyqësor”, thuhet në reagim.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka shkruar kohë me parë edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Megjithatë edhe ky institucion nuk ka dhënë ndonjë mendim sa i përket mbylljes së proceseve gjyqësore. Duke u thirrur në mandatin që ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se mbetet krejtësisht përgjegjësi e gjykatëseve se si të veprojnë në këto raste. Përkundër kësaj, ne konsiderojmë se KGJK-ja duhet të ketë një rol më aktiv pasi edhe ky institucion bart një pjesë të përgjegjësisë për dështimet apo suksesin e sistemit të drejtësisë. Kërkojmë edhe publikisht që KGJK-ja të deklarohet në lidhje me këtë rast”, thuhet në reagim.
Shqetësimin e AGK-së për mbylljen e seancave gjyqësore, sidomos rastit “Mekaj” e ka përkrahur edhe European Federation of Journalists.
EFJ kohë më parë ka reaguar publikisht duke mbështetur kërkesën e gazetarëve që proceset gjyqësore të jenë të hapura për publik si dhe për gazetarët, duke ia rikujtuar sistemit të drejtësisë se parimi bazë për punën e gjykatave është transparenca.
“Përveç kërkesës për KGJK-në, ne kërkojmë edhe nga të gjitha organizatat vendore e ndërkombëtare që të kërkojnë rritjen e transparencës. Presioni më i madh do të duhej të vinte nga organizatat që monitorojnë fushën e drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/