Site icon Telegrafi

AGK reagon ndaj Lladrovcit që gazetaren e quan dreq e mediat të poshtra (Video)

I pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ditë më parë ofendoi gazetaren e Klan Kosovës, Arbëresha Fazliu, duke përdorë shprehjen “dreq”. Rreth kësaj ka reaguar edhe AGK, që këtë veprim e cilësoi të papranueshëm dhe ofendues.

Gjatë një takimi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin, zëvendësi i tij, Gani Koci, ka kërkuar një favor nga Lladrovci. Koci ka pyetur Lladrovcin se “a e ke gjetur një vend të punës për qikën e Ademit”.

Ai është përgjigjur duke i thënë se “të kryer e ki, kam dashtë ta bëj edhe drejtoresh po nuk munda”.

Gazetarja e Klan Kosovës e ka xhiruar këtë pjesë, ndërsa Lladrovci i thotë “o dreq” duke ia vendosur dorën mbi kokë. Më parë, ai i quajti mediat “të poshtra”.

“AGK e pret me shqetësim njoftimin nga kolegia Fazliu, e cila veprimin e Lladrovcit e cilëson të papranueshëm dhe ofendues për te. Njëherësh ne kërkojmë nga kryetari i komunës së Drenasit që t’i kërkojë falje koleges Fazliu për veprimin e tij. Lladrovci si zyrtar i lartë duhet që të jetë shembull për sjellje në raport me gazetarët si dhe qytetarët në përgjithësi”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version