Site icon Telegrafi

AGK priti sot në takim gazetarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Finlandës

Gazetarë të Asociacionit Finlandez të Gazetarëve u pritën në takim nga anëtarja e bordit të AGK-së, Jehona Hulaj dhe Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi.

Të pranishëm në takim ishin 26 gazetarë, nga asociacioni finlandez i përbërë prej gjithsej 300 anëtarëve, dhe ata përfaqësuan të gjitha llojet e mediave në Finlandë, si mediat e shkruara, televizionet dhe radiot.

Drejtorja Mulliqi prezantoi misionin, punën si dhe projektetet e AGK-së, ndërsa anëtarja e bordit, Hulaj, foli lidhur me gjendjen e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Mulliqi theksoi se AGK-ja është organizata e vetme e natyrës së saj në Kosovë dhe misioni i saj është promovimi i lirisë së medias dhe i gazetarisë cilësore. Ajo tha se në Kosovë ekziston një ambient pluralist por se gazetarët kryesisht përballen me fushata të shpifjes.

Anëtarja e bordit, Jehona Hulaj, foli për rrezikshmërinë me të cilën përballen gazetarët gjatë raportimit të tyre dhe punës në terren, veçanërisht në zona më të tensionuara në veri të vendit, që vazhdon të jetë pjesa më kritike nga ku raportojnë gazetarët.

Hulaj theksoi se veriu nuk është vendi i vetëm ku gazetarët përballen me intimidime, kërcënime dhe sulme, pasi ata linçohen dhe sulmohen edhe kur hulumtojnë apo raportojnë lidhur me raste të korrupsionit dhe ato të cilat prekin zyrtarët qeveritarë.

Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, këtë takim e përmbylli duke përmendur programin e AGK-së për strehimin e gazetarëve ukrainas dhe atyre afganë, Journalists in Residence.

Exit mobile version