Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim veprimin e sotëm të kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli, ku thuhet se e ka fyer gazetaren Saranda Ramaj.
Në njoftimin e AGK-së thuhet se Ramaj ndihet e fyer nga akuzat që i ka bërë në drejtim të saj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Rasti ka ndodhur derisa gazetarja Ramaj ishte duke përcjellë vizitën e kryeparlamentarit në QKUK, pas pyetjes, Veseli e akuzoi atë se kinse është politike.
“Duke ju referuar mënyrës së përgjigjes dhe konotacionit negativ, ne kërkojmë nga kryeparlamentari, gjithsecili politikan dhe udhëheqës shtetëror që të zgjedh forma më të mira të kundërshtimit sesa rrëshqitja në akuza të tilla që për qëllim kanë dëmtimin e imazhit të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK konsideron se kryeparlamentari do të duhej të përgjigjej në mënyrë profesionale, duke dhënë argumentet e nevojshme e jo të vepronte në këtë formë. /Telegrafi/