Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar vendimit të Gjykatës së Prishtinës për të dënuar me 1 mijë euro gjobë të akuzuarin A. P., i cili është shpallur fajtor për kanosje ndaj gazetares së KALLXO.com Arjana Berisha, në gusht të vitit 2022.
AGK është shprehur e shqetësuar lidhur me masën e dënimit që ka marr A.P.
“AGK i bashkohet mediumit Kallxo.com për të shprehur indinjatën për nivelin e dënimit për personin që kishte kërcënuar dhe kanosur gazetaren, Arjana Berisha”, thuhet në reagim.
Tutje është thënë se AGK-ja e konsideron dënimin prej 1 mijë eurosh si jo proporcional me veprën, dhe që nuk shërben si shembull për të gjithë ata që kanë sulmuar apo sulmojnë gazetarët.
“Duke marrë parasysh punën e rëndësishme në interes të publikut që gazetarët bëjnë, vendimet e gjykatave në rastet kur cenohet siguria e tyre fizike, duhet të jenë meritore dhe në përputhje me veprën e rëndë”, thotë AGKe.
Në anën tjetër edhe Kallxo.com me shqetësim të thellë ka parë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin njëri nga personat e akuzuar për kërcënimin e gazetares së Kallxo.com, Arjana Berisha, është dënuar me vetëm 1 mijë euro gjobë.
Kallxo konsideron se procesi gjyqësor ishte i parregullt dhe se e pamundësoi zhvillimin e një procedure gjyqësore e cila do të argumentonte rrethanat rënduese dhe do të ndërtonte standardin e ndëshkueshmërisë për kërcënuesit e gazetarëve.