Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
Sipas AGK-së, me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova.
“Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Më tej thuhet se “AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”.
“AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë”.
Sipas AGK-së, vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës. /Telegrafi/