Site icon Telegrafi

AGK-ja e shqetësuar nga linçimi i këshilltarit Matoshi ndaj gazetarit Besnik Krasniqi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka parë shqetësuese gjuhën linçuese që ka përdorur këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, duke i vënë atij epitetin “fabrikues të lajmeve” e duke e krahasuar me gazetarët e “Sputnikut rus”.

“Besnik Krasniqi po shkëlqen në luftën speciale të Sputnik-ut kundër Republikës sonë!?“, kishte shkruar Matoshi në rrjetin social Facebook, duke i bashkëngjitur shkrimit fotografitë e Kohës Ditore dhe të Sputnik-ut.

Andaj, për AGK-në, është e papranueshme kjo gjuhë linçuese e zyrtarëve shtetërorë kundrejt gazetarëve, aq më pak, kur një gjuhë e tillë vjen nga njerëzit që dikur kanë kryer vetë detyrën e gazetarit.

AGK konsideron se gjuha e përdorur nga këshilltari i kryeministrit, i kontribuon gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes dhe, si e tillë, është e dënueshme, meqë e cenon ashpër lirinë e shprehjes dhe të bërit gazetari.

Në anën tjetër, AGK kërkon nga gazetarët që të përmbahen nga komentet linçuese dhe të mos bien nën ndikimin e komenteve të tilla.

AGK mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve, bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit dhe inkurajon informimin korrekt dhe të drejtë të publikut, përmes shkrimeve dhe storieve të bazuara në fakte./Telegrafi/

Exit mobile version