Site icon Telegrafi

AGK-ja dënon ashpër linçimet ndaj tre gazetarëve

Foto: Kallxo.com

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një postimi të bërë nga një faqe në Facebook, ku janë linçuar disa gazetarë.

Fjala është për gazetarët Jeta Xharra, Xhemajl Rexha dhe Fidan Jupolli, ku përmes faqes në fjalë ata janë cilësuar si mercenarë.

“Linçimet dhe cilësimet e tilla, për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë. Në këtë postim shihet edhe opinionisti Rron Gjinovci. Pavarësisht mospajtimeve e pakënaqësive, duhet të respektohet liria e shprehjes dhe mendimi ndryshe. Kushdo që ka fakte për shpifje eventuale duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse dhe të ndjek rrugët ligjore”, thuhet nder të tjera në reagimin e AGK-së.

Reagimi i plotë:

AGK dënon ashpër linçimet ndaj gazetarëve Jeta Xharra, Xhemajl Rexha e Fidan Jupolli

PRISHTINË, 28.03.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dënon ashpër linçimet ndaj gazetarëve, Jeta Xharra nga BIRN, Xhemajl Rexha nga KTV dhe Fidan Jupolli nga T7.

Përmes një faqe në rrjetin social Facebook, gazetarët në fjalë janë cilësuar si mercenarë të njërit prej subjekteve politike në vend.

Linçimet dhe cilësimet e tilla, për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

Në këtë postim shihet edhe opinionisti Rron Gjinovci.

Pavarësisht mospajtimeve e pakënaqësive, duhet të respektohet liria e shprehjes dhe mendimi ndryshe. Kushdo që ka fakte për shpifje eventuale duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse dhe të ndjek rrugët ligjore.

AGK fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më parë të merren me këtë rast në mënyrë që akterët e këtij veprimi të dalin para drejtësisë.

AGK po ashtu u bën thirrje partive politike që të distancohen nga veprimet e tilla të ulëta nga kushdo që vijnë ato dhe që polarizojnë shoqërinë, cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë demokracinë në vend.

Exit mobile version