Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas mesazheve kërcënuese që ka marrë gazetarja e Kohavisionit, Arta Avdiu.
Kërcënimet kanë ndodhur pas një postimi të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku, e cila në një postim të saj ka akuzuar gazetaren Arta Avdiu për mos profesionalizëm si dhe anime politike.
“AGK, konsideron se mënyra e veprimit të deputetes Izmaku nuk është forma më e mirë e shprehjes së kundërshtimit në raport me punën e gazetarëve. AGK, dëshiron të ja bëjë të qartë deputetes në fjalë se gazetarët kanë të drejt të bëjnë çfarëdolloj pyetjesh nëse ata konsiderojnë se janë në interes të opinionin publik. AGK kërkon nga përfaqësuesit politik që të zgjedhin forma profesionale të shprehjes së kundërshtimit të tyre në raport me punën e mediave dhe gazetarëve”, thuhet në reagim. “Në kohën kur vendi ynë është duke u përballur me situatë të rëndë sa i përket sigurisë së gazetarëve dhe respektimit të lirisë se mediave, çdo nxitje apo nisje e fushatave linçuese nga ana e politikanëve mund të prodhojë pasoja për gazetarët”. /Telegrafi/