Site icon Telegrafi

AGK e nderon me mirënjohje shefin e OSBE-së për përkushtimin e tij ndaj lirisë së medias

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka pritur në një takim lamtumirës Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, dhe Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, shprehën falënderimet e tyre për Ambasadorin Davenport për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer që ka ofruar për AGK-në dhe komunitetin e gazetarëve.

Gjatë takimit, ata theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet organizatave për avokimin e sigurisë së gazetarëve, fuqizimin e lirisë së mediave në Kosovë dhe ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve nga të gjitha komunitetet.

Në shenjë mirënjohjeje, AGK-ja i ndau ambasadorit Davenport një mirënjohje për përkushtimin e tij personal ndaj lirisë së medias në Kosovë.

AGK është mirënjohës për partneritetin e qëndrueshëm me OSBE-në, që prej themelimit të organizatës në vitin 2002.

OSBE ka mbështetur aktivitete dhe trajnime të shumta të AGK-së dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në rinovimin e Çmimeve Vjetore në Gazetari në vitin 2021./Telegrafi/

Exit mobile version