Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ashpër ndaj fushatës linçuese e cila po zhvillohet ndaj drejtorit të portalit “Insajder”, Parim Olluri, nga faqja në Facebook “Albanian Real Facts”.
“Gazetari Parim Olluri tash e sa ditë vazhdon të jetë cak i një fushate linçuese dhe denigruese nga faqe të ndryshme në rrjetin social Facebook. Kjo gjuhë e përdorur ndaj gazetarit Olluri, ka të bëjë me shkrimet dhe punën e tij.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tashmë e ka raportuar këtë faqe në administratën e Facebook-ut, duke dëshmuar se e njëjta ka përhapur gjuhë të urrejtjes dhe ka kryer linçim publik ndaj gazetarit Olluri”, thuhet në reagimin e AGK-së
AGK, ju bënë thirrje institucioneve ligjzbatuese në vend, si dhe të gjithë mekanizmave të tjerë shtetëror që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe autorët e kësaj fushate, të cilat fshihen pas faqeve të ndryshme të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë. /Telegrafi/