Telegrafi

AGK: ASHNA e linçoi gazetaren Ardiana Thaçi–Mehmeti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim njoftimin nga anëtarja Ardiana Thaçi–Mehmeti se ajo po linçohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

“Qëkur kjo Agjenci dërgoi një letër për media, më 2 tetor, në të cilën u bënte thirrje qytetarëve të Kosovës të mos binin pre e kinse ‘ezinformatave’ të publikuara në Kohavision nga unë -Ardiana Thaçi, që në fakt ishin vetëm informacione të mirë hulumtuara dhe të bazuara në dokumente për keqmenaxhimin e këtij institucioni nga kreu i tij, Bahri Nuredini. Në ueb faqen e tyre që nga ajo ditë, vazhdon të qëndrojë emri im në formë linçimi, lajm i cili kohë pas kohe paraqitet edhe në ekranin e madh në një nga sallat e kësaj agjencie”, ka thënë gazetarja Thaçi – Mehmeti.

AGK, kërkon nga ky institucion që të largojë këtë njoftim nga Ueb-faqja si dhe të mos përsërisë një praktikë të tillë në raport me gazetarët.

“Kjo formë e veprimit paraqet tendencë të hapur për linçimin e gazetarëve si dhe ka qëllim të drejtpërdrejt të dëmtimit të imazhit të tyre”, thuhet në reagim. /Telegrafi/